Përfytyroni një arenë me 22 mijë njerëz që ulërasin kundër teje.
Një atmosferë armiqësore që dridhet si nga tërmeti, një shtet i tërë që nuk të do aty dhe vetë organizatorët e UFC-së që të bëjnë presion të tërhiqesh. Por asgjë nga këto nuk e ndali luftëtarin shqiptar Dennis Buzukja, që në mes të Beogradit, të ngrinte lart duart për të bërë shqiponjën dhe të futej në kafaz me flamurin kuqezi. Ai nuk e njihte frikën, dhe këtë, serbët e kuptuan shumë shpejt, shkruan TopChannel
“Gjatë peshimit, ia bëra duart kështu… e nxora shqiponjën dhe doli direkt në çdo lajm. Ishte provokim, e pranoj. Por kur erdhi dita e ndeshjes dhe doli fotoja ime në arenë… u çmendën. Ishin 22 mijë serbë brenda, filluan të bërtisnin, bënin zhurmë, dridhej arena si me qenë tërmet. UFC më bëri shumë presion që të mos dilja me flamur, pasi shteti i Serbisë nuk e pranonte. Por unë kisha flamurin aty në karrige, e pashë dhe thashë: ‘Nuk më intereson, unë e kam ndarë mendjen, do dal me të’. Dhe kur dola… çfarë nuk bënin. Të shanin, të pështynin… por asnjë nga ato nuk më bëri përshtypje”, u shpreh luftëtari i UFC-së Dennis Buzukja.
Të hysh në “strofullën e ujkut” dhe të dalësh me kokën lart kërkon një karakter të hekurt. Por ky mentalitet luftëtari nuk u formua vetëm në ring. Dennisi u kalit mes punëve të rënda të ndërtimit, llaçit, skelave dhe lodhjes ekstreme në rrugët e Amerikës. Për të arritur majat e arteve marciale mikse, atij i është dashur të bëjë një jetë të dyfishtë.
