Gjatë lansimit të programit strategjik “Basketbolli 3.0” nga Federata e Basketbollit të Kosovës, të mërkurën mbrëma, është zyrtarizuar emërimi i Aulona Muhadrit si kapitenja e re e Kombëtares së Kosovës në basketboll.
Muhadri, e emocionuar pas marrjes së këtij roli të rëndësishëm, theksoi se basketbolli për të ka qenë gjithmonë më shumë se një lojë, një pasion i thellë, një sfidë e përhershme dhe një mënyrë për të shprehur përkushtimin dhe dashurinë ndaj sportit.
“Si kapitene e Kosovës, për mua basketbolli nuk ka qenë asnjëherë vetëm lojë, ka qenë gjithmonë pasion, sfidë dhe mënyrë për të treguar atë që dimë më mirë: përkushtimin, energjinë dhe dashurinë për sportin,” deklaroi Muhadri.
