Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani ka komentuar për herë të parë mbi zërat që e lidhin me një transferim të mundshëm te FC Barcelona, duke mos dhënë një përgjigje të prerë për të ardhmen e tij.
Pas një paraqitjeje të mirë me TSG Hoffenheim, ku realizoi edhe një gol të bukur, interesimi i klubit katalanas u bë temë kryesore. Sipas raportimeve, Barcelona po e monitoron nga afër 23-vjeçarin dhe një transferim mund të kushtojë rreth 25 deri në 29 milionë euro, shkruan gazeta gjermane Bild.
Vetë Asllani u tregua i rezervuar kur u pyet për këtë çështje, duke theksuar se fokusi i tij mbetet te loja në fushë. Ai deklaroi se dëshiron të vazhdojë të japë maksimumin për ekipin dhe të ndihmojë me gola e asistime, ndërsa çështjet jashtë fushës nuk i kushton shumë rëndësi, shkruan Kosovapress.
