Pesë persona të maskuar tentojnë ta grabitin vilën e Pavardit, reagimi i shpejtë i Kleofinës ua ‘ndërron matematikën’
Një moment i vërtetë tmerri është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Marseille, ku shtëpia e futbollistit të njohur Benjamin Pavard ka rënë pre e një tentative grabitjeje.
Mediat e mëdha franceze, përfshirë “Le Parisien” dhe “La Provence”, kanë zbardhur detaje nga ngjarja që, sipas raportimeve, mund të kishte përfunduar shumë më keq.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, kur bashkëshortja shqiptare e futbollistit, modelja Kleofina Pnishi, së bashku me vëllain e saj, kanë pikasur pesë persona të maskuar në kopshtin e vilës, përballë xhamit të madh të shtëpisë.
Pa humbur kohë dhe me gjakftohtësi, Kleofina ka telefonuar menjëherë policinë. Sapo kanë kuptuar se ishin zbuluar, personat e dyshuar janë larguar me shpejtësi me një automjet të tipit Mercedes.
Reagimi i forcave të rendit ka qenë i menjëhershëm. Policia e Marseille ka arritur ta lokalizojë makinën e dyshimtë vetëm pak minuta pas alarmit, duke arrestuar pesë personat e dyshuar, të moshave nga 16 deri në 27 vjeç, të gjithë me precedentë të mëparshëm penalë.
Fatmirësisht, grupi nuk ka arritur të hyjë brenda shtëpisë dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale apo të lënduar.
Ky incident shqetësues vjen vetëm dy ditë pasi Pavard njoftoi zyrtarisht largimin e tij nga klubi i Olympique de Marseille.