29 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë Shqipërinë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tre vatra janë në monitorim dhe katër të tjera janë vendosur nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar qindra forca në terren. Operacionet po zhvillohen nga toka dhe ajri, me pjesëmarrjen e strukturave të Mbrojtjes Civile, Policisë, bashkive, shërbimeve pyjore, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, shkruan Euronews.al.
Në terren janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në dispozicion të operacioneve janë vendosur 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë angazhuar 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive
Në Dajt të Tiranës, puna vijon në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Ministria bën me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. E njëjta situatë raportohet edhe në Priskë të Madhe.
Në Përmet, mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel. Terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët vijojnë operacionet për izolimin e flakëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së.


