Rreth 110 persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një zjarri të madh që ka përfshirë zonat përreth Marsejës, qyteti i dytë më i madh në Francë. Zjarri, që ka shpërthyer të martën, është përhapur me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ka detyruar evakuimin e qindra banorëve.
Sipas Ministrit të Brendshëm të Francës, Bruno Retailleau, në terren janë angazhuar rreth 800 zjarrfikës që po punojnë pa ndërprerje për të vënë flakët nën kontroll. Ai konfirmoi se përpjekjet për shuarjen e zjarrit do të vazhdojnë pasi situata ende nuk është stabilizuar.
Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku i Marsejës, Benoit Payan, ka përshkruar përballjen me zjarrin si një luftë të vërtetë: “Batalioni i zjarrfikësve detarë po zhvillon luftë guerile, me tuba uji në dorë,” – tha Payan, duke vlerësuar angazhimin e ekipeve të emergjencës.
Mediat franceze raportojnë se të paktën 400 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve. Ndërkohë, janë lënduar edhe nëntë zjarrfikës që ishin në vijën e parë të zjarrit.