Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë dhe Hercegovinës ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska (RS) më 23 nëntor.
Kjo pozitë në entitetin serb mbeti e lirë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia hoqi mandatin Millorad Dodikut më 18 gusht, në bazë të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, me të cilin ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike për shkak të moszbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Ndërkohë, Kuvendi i Republikës Sërpska ka miratuar një sërë ligjesh dhe konkluzionesh jokushtetuese që lidhen me mbajtjen e një referendumi në këtë entitet të Bosnjë e Hercegovinës, në të cilin qytetarët do të duhej të shpreheshin për aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Dodikut dhe për vendimin e KQZ-së së Bosnjës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së.
KQZ-ja e Bosnjës ka marrë vendim që të shpallen zgjedhje të parakohshme për presidentin e RS-së, pasi dy nënkryetarëve (një boshnjak dhe një kroat) nuk u janë hequr mandatet.
Në mbledhjen e KQZ-së është miratuar gjithashtu përfundimi që lista qendrore e votuesve të mbyllet më 27 gusht të këtij viti në orën 00:00. Të drejtë vote, sipas listës zgjedhore, kanë rreth 1 milion e 266 mijë votues.
Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska është e nevojshme të ndahen 6 milionë e 490 mijë marka (rreth 3.2 milionë euro).
Bosnja dhe Hercegovina ende nuk ka buxhet të miratuar dhe shteti funksionon me buxhet të përkohshëm.
Presidenca në Bosnje më 19 gusht ka dorëzuar projekt-buxhetin, ku është paraparë edhe financimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në RS.
Që të hyjë në fuqi, buxheti duhet të miratohet edhe në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.