Për herë të parë që kur agjentët e inteligjencës ruse kritikuan ashpër autoritetet serbe për shitjen e armëve në Ukrainë, duke e quajtur këtë një “goditje pas shpine” për Rusinë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takua ballë për ballë me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin në Kinë, ku të dy shkuan për një paradë ushtarake.
Raporti nga shërbimet ruse të sigurisë u prezantua vetëm tre javë pasi Vuçiq mori pjesë në një paradë ushtarake në Moskë për të shënuar 80-vjetorin e Ditës së Fitores.
Vuçiq i tha Radios dhe Televizionit të Serbisë në atë kohë se ishte formuar një grup pune për të hetuar faktet.
Serbia nuk eksporton armë, vetëm municione, pohoi presidenti serb, shkruan BBC në gjuhën serbe.
Gjatë takimit në Pekin, i cili ishte pjesërisht i hapur për shtypin, as Vuçiq dhe as Putin nuk e përmendën raportin mbi shitjet e armëve, por ata ranë dakord se donin të përmirësonin bashkëpunimin ekonomik.
“Në periudhën e mëparshme, ka pasur një rënie të dukshme në aspektin ekonomik, por ne do të përpiqemi të punojmë vazhdimisht dhe të përmirësojmë rezultatet”, tha Putin.
Ai njoftoi se një seancë tjetër e Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Tregtar, Ekonomik dhe Shkencor-Teknik midis Serbisë dhe Rusisë do të mbahet në Beograd deri në fund të vitit.
“Jam i kënaqur që ju shoh, President,” i tha Vuçiq i pari.
Ai i përcolli udhëheqësit rus se “bashkëpunimi me Rusinë në të gjitha fushat është i rëndësishëm për Serbinë, veçanërisht në fushën e energjisë”.