Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar tarifa të reja ndaj Kinës, në kuadër të përpjekjeve të administratës së presidentit Donald Trump për të kufizuar ndikimin e ekonomisë kineze në tregtinë globale.
Masat e reja vijnë pas një hetimi tetëmujor për praktikat tregtare dhe kapacitetet e tepërta prodhuese. Uashingtoni synon të ushtrojë presion edhe ndaj partnerëve të tjerë tregtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Japoninë dhe disa vende të Azisë Juglindore, që të kufizojnë importet dhe investimet e lidhura me Kinën.
Sipas Reuters, SHBA-ja planifikon t’i rrisë tarifat ndaj produkteve kineze me 20 pikë përqindjeje, mbi tarifat prej 25 për qind të vendosura gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Ministria e Jashtme e Kinës ka kundërshtuar akuzat amerikane për praktika të padrejta industriale, por nuk ka paralajmëruar masa hakmarrëse.




