SHBA-ja i ka njoftuar aleatët e saj në NATO se do ta shtyjë përtej afatit të përkohshëm të 1 dhjetorit rishikimin e pranisë së forcave të saj ushtarake në Evropë, bëjnë të ditur dy diplomatë të NATO-s.
Gjatë një takimi të përfaqësuesve të NATO-s të mërkurën, zëvendësambasadori amerikan Scott Oudkirk u tha aleatëve se Uashingtoni nuk do ta prezantojë në kohë rishikimin e dislokimit të forcave amerikane në Evropë për takimin e ministrave të Jashtëm të aleancës, që do të mbahet të mërkurën e ardhshme. Kështu thanë diplomatët, të cilëve u është garantuar anonimiteti për të folur lirshëm rreth takimit me dyer të mbyllura.
Rishikimi, i paralajmëruar në qershor nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, synon të shqyrtojë nivelin e pranisë së forcave amerikane në të gjithë Evropën, përfshirë numrin e trupave, qasjen ushtarake, të drejtat për vendosjen e bazave dhe lejet për fluturime mbi territorin e vendeve të ndryshme. Kjo po bëhet në kohën kur Uashingtoni synon ta zhvendosë fokusin e angazhimit të tij ushtarak drejt rajoneve të tjera, si Hemisfera Perëndimore dhe rajoni Indo-Paqësor, raporton Politico.
“Ne ende shpresojmë ta përmbushim afatin e 1 dhjetorit, të paktën që [sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth] ta ketë rishikimin përfundimtar”, u tha gazetarëve në Bruksel javën e kaluar zëvendëssekretari i Pentagonit, Elbridge Colby, duke vlerësuar “përparimin e jashtëzakonshëm” të vendeve si Gjermania, Polonia, Holanda dhe shtetet skandinave, të cilat, sipas tij, po “marrin më shumë përgjegjësi” dhe po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre.
Diplomatët shtuan se SHBA-ja nuk ka dhënë një datë të re se kur do ta bëjë publik riorganizimin, por përmendën si një nga arsyet e vonesës faktin se Uashingtoni është ende duke shqyrtuar ofertat e ndryshme të aleatëve për furnizimin me kapacitete ushtarake, të cilat do të zëvendësonin pajisjet dhe forcat që aktualisht ofrohen nga SHBA-ja.

