Në Krakovë, një burrë qëlloi nga makina e tij, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur shumë të tjerë. Incidenti e ka lënë të tronditur qytetin e dytë më të madh të Polonisë. Çfarë dihet deri tani?
Rreth orës 15:00 të shtunën, një burrë hyri me makinën e tij në sheshin e tregut në qendër të qytetit të dytë më të madh të Polonisë, në Krakov, dhe hapi zjarr nga automjeti në lëvizje. Sipas policisë polake, ai qëlloi pa dallim drejt njerëzve. Gjashtë persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën. disa prej tyre rëndë.
Mes viktimave ishte edhe një shtetas britanik, ndërsa pesë të huaj nga Gjermania, Austria, Portugalia, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar mbetën të plagosur.
Sipas policisë, autori u largua me makinë nga qendra e qytetit pas sulmit, por më vonë u ndalua dhe u neutralizua nga forcat e rendit. Gjatë arrestimit në një kryqëzim, ai u përfshi në një shkëmbim zjarri me policinë, u plagos dhe u vu në pranga. Dy policë mbetën të plagosur, njëri prej tyre në gjendje kritike. I dyshuari u qëllua gjatë ndërhyrjes dhe ndodhet ende në spital pas një operacioni.
Çfarë dihet për sulmuesin?
Pas arrestimit, autoritetet zbuluan gradualisht detaje mbi autorin e dyshuar. Policia e identifikon atë si një shtetas polak, të lindur në vitin 2002, në një qytet të vogël në jug të vendit. Sipas forcave të rendit, ai merrej me qitje sportive, raportoi ARD. Në momentin e sulmit ai ishte i veshur me rroba ushtarake dhe mbante një jelek antiplumb.
Megjithatë, ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, theksoi në platformën X se i dyshuari nuk ishte ushtar i ushtrisë polake dhe nuk kishte pasur kurrë lidhje me forcat e armatosura. Zëdhënësi i policisë, Andrzej Fiołek, deklaroi se ai posedonte leje për armë zjarri, ashtu si edhe disa anëtarë të familjes së tij.
Sipas ministrit të Brendshëm, Marcin Kierwiński, në automjetin e të dyshuarit u gjetën disa armë të tjera dhe një sasi e madhe municionesh. “Gjithçka tregon se ai ishte i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë”, tha ai. Autoritetet e përshkruajnë të dyshuarin si një ultranacionalist.
Viktima të tjera në shtëpinë e tij
Më vonë gjatë mbrëmjes, një njësi antiterroriste kontrolloi shtëpinë e të dyshuarit, ku u gjetën të vdekur edhe tre persona të tjerë. Kryeministri polak Donald Tusk konfirmoi se bëhej fjalë për dy gra dhe një burrë.
Sipas tij, ekzistojnë indicie të forta se viktimat ishin familjarët më të afërt të sulmuesit, me shumë gjasa prindërit dhe motra e tij. Hetimet për motivet dhe rrethanat e ngjarjes vazhdojnë. Policia po vazhdon hetimet për shkaqet dhe motivet e vrasjeve.
Polonia ka shpallur një periudhë zie kombëtare, e cila do të zgjasë deri më 11 nëntor. /DW