Detaje tronditëse janë zbardhur nga hetimet për sulmin me armë zjarri në Krakov të Polonisë.
Autori i dyshuar është identifikuar si Michał Oksiński, 25 vjeç, i cili raportohet se është plagosur rëndë gjatë ngjarjes.
Policia polake ka konfirmuar gjithashtu zbulimin e tre trupave të pajetë në banesën ku jetonte i riu me familjen e tij. Viktimat janë babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 20-vjeçare. Sipas të dhënave paraprake, të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Ndërkohë, bilanci i sulmit në Krakov është gjashtë viktima, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në spital, si dhe 16 persona të plagosur. Pesë prej të plagosurve dyshohet se janë shtetas të huaj.
Zëvendësinspektori Andrzej Fijolek, zëdhënës i shefit të policisë polake, ka deklaruar për televizionin TVN24 se numri i viktimave nuk ka ndryshuar dhe se gjendja shëndetësore e të plagosurve të tjerë nuk është përkeqësuar.
Sipas raportimeve të mediave polake, 25-vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe jetonte me familjen në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, rreth dy orë larg me makinë nga Krakov.
Ai rezulton të ketë qenë anëtar i një poligoni qitjeje. Një fqinj i familjes ka treguar për TVN24 se kishte parë shpesh babanë dhe djalin të largoheshin së bashku me makinë, të veshur me rroba kamuflazhi dhe me çanta në duar.
Megjithatë, fqinji u shpreh se nuk kishte pasur asnjë dyshim për sjelljen e tyre dhe se nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se 25-vjeçari mund të përfshihej në një ngjarje të tillë.