Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Álvarez, deklaroi se Spanja nuk do të lejojë përdorimin e bazave të saj ushtarake për sulme ndaj Iranit, duke theksuar se Madridi i ka dënuar veprimet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Teheranit.
Bazat ushtarake në territorin spanjoll ndahen mes Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës, por mbeten nën sovranitetin e plotë të këtij të fundit. Sipas Álvarez, “bazat spanjolle nuk po përdoren për këtë operacion dhe nuk do të përdoren për asgjë që nuk përfshihet në një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara ose që nuk është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
Qëndrimi i qeverisë së udhëhequr nga kryeministri socialist Pedro Sánchez, i cili ka dënuar ashpër veprimet SHBA-Izrael në Iran, e veçon sërish Spanjën në rajon dhe mund të krijojë tensione të reja në marrëdhëniet me Uashingtonin.
Lëvizje avionësh nga bazat në jug të Spanjës
Ndërkohë, të dhënat e publikuara nga FlightRadar24 tregojnë se 15 avionë amerikanë janë larguar nga bazat ajrore Rota dhe Morón në jug të Spanjës që nga nisja e sulmeve ndaj Iranit.
