Debati për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut po shkakton përplasje brenda koalicionit qeverisës. Lëvizja ZNAM, pjesë e Qeverisë, ka paralajmëruar se mund të largohet nga koalicioni nëse provimi lejohet të mbahet edhe në shqip, ndërsa Aleanca për Shqiptarët e ka kritikuar këtë qëndrim.
Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka deklaruar se partia e tij nuk do të pranojë që provimi i jurisprudencës të organizohet në ndonjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Ai ka paralajmëruar se në rast të një vendimi të kundërt nga Qeveria, ZNAM është e gatshme të largohet nga koalicioni qeverisës.
Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, e cila vlerëson se paralajmërimet e Dimitrievskit kanë prapavijë politike. Sipas kësaj partie, ai po e përdor çështjen e provimit të jurisprudencës për qëllime elektorale, pasi, siç pretendojnë, pret që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në takimin e fundit me studentët ka propozuar që 12 provime të jurisprudencës të mbahen në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase.
Shasivari ka bërë të ditur gjithashtu se institucionet planifikojnë të kërkojnë një mendim nga Komisioni i Venecias për këtë çështje.
“Parashikojmë të kërkojmë edhe një mendim brenda një afati të shkurtër nga Komisioni i Venecias, si organi më prestigjioz këshillëdhënës evropian për çështje kushtetuese dhe juridike”, ka deklaruar Shasivari.
