Të paktën 13 persona kanë vdekur dhe 66 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në një nga impiantet më të mëdha të gazit në Katar.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, i cili bëri të ditur se incidenti ndodhi mbrëmjen e kaluar gjatë operacioneve të nisjes në kompleksin industrial Ras Laffan Industrial City, qendra kryesore e vendit për prodhimin dhe eksportimin e gazit natyror të lëngshëm.
Sipas autoriteteve, ekipet emergjente ndërhynë menjëherë pas shpërthimit, ndërsa të plagosurit u dërguan për trajtim mjekësor në institucionet shëndetësore përkatëse, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ministri Al-Kaabi deklaroi se tashmë ka nisur një hetim i plotë për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit.
Ai theksoi se, bazuar në të dhënat paraprake, bëhet fjalë për një aksident industrial dhe jo për ndonjë akt agresioni apo sabotimi.
“Aktualisht po zhvillohen hetime për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, por deri më tani nuk ka indikacione se shpërthimi lidhet me ndonjë sulm apo veprim të qëllimshëm”, tha ai.
