Ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ka thënë më 25 dhjetor se janë duke u zhvilluar negociatat mes aksionarëve rusë në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) dhe MOL-it të Hungarisë për shitjen e aksioneve të kompanisë.
Ajo ka thënë se NIS-i dhe MOL-i e kanë informuar Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit për këto zhvillime.
“Qeveria hungareze i ka mbështetur bisedimet dhe ne si Qeveri e Serbisë do të ofrojmë mbështetje , në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për heqje të sanksioneve dhe krijim të kushteve për t’i garantuar NIS-it një licencë për punë operacionale”, ka thënë zyra e ministres serbe.
Sipas saj, Qeveria e Rusisë e ka informuar Qeverinë e Serbisë se i mbështet negociatat për largimin e kapitalit rus nga NIS-i, prandaj Serbia do t’i mbështesë këto zhvillime.
Ministrja citohet të ketë thënë se nuk ekziston asnjë kapacitet logjistik për të importuar sasinë e nevojshme të produkteve të naftës, andaj bisedimet do të vazhdojnë që NIS-i të rikthejë operimin, pavarësisht kohës që i duhet MOL-it dhe aksionarëve rusë që të dakordohen për marrëveshjen.
Autoritetet amerikane i kanë lëshuar licencë NIS-it një ditë më parë, duke ja zgjatur afatin për negociata për shitjen e aksioneve ruse të kompanisë deri më 24 mars 2026.
