Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se qëllimi i protestave të fundit është destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës së Shqipërisë, duke e kthyer atë pas në të kaluarën.
Ai ka pretenduar se pas protestave qëndrojnë krimi i organizuar dhe faktorë të huaj, ndërsa ka kritikuar edhe mediat për mënyrën se si kanë raportuar për dhunën.
“Qëllimi është shumë i qartë: destabilizim i vendit dhe devijim i rrugës sonë, duke na kthyer pas në të shkuarën”, ka thënë Rama të shtunën në një konferencë për media, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo.
Gjatë konferencës, kreu i qeverisë shqiptare ka kritikuar mediat, duke i akuzuar për relativizim të dhunës në emër të studentëve.




