Mes të akuzuarve janë Ivan Matoviq, një opozitar nga qyteti i Kralevës, Novica Antiq, ish-kryetar i Sindikatës Ushtarake të Serbisë, si dhe të paktën dy veteranë të luftës që kanë shprehur mbështetje për protestat studentore.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që t’u zgjatet masa e paraburgimit Ivan M., Novica A. dhe Branko M., ndërsa Aleksandar I. dhe Vidan K. t’u zgjatet masa e arrestit shtëpiak, për të parandaluar përsëritjen e mundshme të veprës penale në një periudhë të shkurtër.
Sipas komunikatës së Prokurorisë serbe, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 qershor, të akuzuarit janë takuar në një lokal në Kralevë ku kanë planifikuar kryerjen e një vepre penale, përkatësisht janë dakorduar dhe organizuar me të tjerë për të ndërmarrë veprime që synonin cenimin e rendit kushtetues të Serbisë.
Prokuroria e Beogradit ka publikuar edhe një transkript të bisedës, që sipas saj, është regjistruar në lokalin ku ishin mbledhur të akuzuarit. Në të flitet për organizimin e një proteste më 28 qershor në Beograd, për mënyrën e udhëtimit, numrin e pjesëmarrësve dhe veprimet që duhej ndërmarrë.
Sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit thuhet të ketë thënë: “Hyn, e pushton ndërtesën e Qeverisë, e bllokon dhe nuk del prej saj”.
Po ashtu, më 25 qershor, Ivan Matoviq dyshohet se ka kontaktuar me një person të quajtur Sërxhan G. për të diskutuar udhëtimin drejt protestës dhe hapat që do të ndërmerreshin.