Izraeli ka lejuar hyrjen në Gaza të një kontingjenti fillestar pilot të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF).
Në njoftimin e ministrisë së Jashtme izraelite, deklarohet se ky kontingjent ka për mision të qartë, e që është ”çarmatimi i Hamasit”.
Ministria e Jashtme, ka deklaruar po ashtu se, Izraeli do të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA’në dhe Bordin e Paqes për të gjitha çështjet që lidhen me Gazën.
‘’Kabineti vendosi këtë mbrëmje të lejojë hyrjen në Gaza të një kontingjenti fillestar pilot të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), me një mision të përcaktuar qartë: çarmatimin e Hamasit. Qëllimi i Izraelit është i qartë dhe nuk ka ndryshuar: çarmatimi i Hamasit. Izraeli falënderon Presidentin Trump për përpjekjet e tij për të forcuar sigurinë e Izraelit dhe për të krijuar një të ardhme pozitive për rajonin. Gjithashtu, falënderon Bordin e Paqes për punën e rëndësishme në shndërrimin e këtij vizioni në realitet. Izraeli do të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA-në dhe Bordin e Paqes për të gjitha çështjet që lidhen me Gazën. Hamasi po shkel marrëveshjet. Ai është pengesa e vetme për përparimin në Gaza dhe vazhdon të shfrytëzojë gjendjen e rëndë të popullsisë për të konsoliduar pushtetin e tij. Asnjë proces rindërtimi në Gaza nuk do të nisë përpara se Hamasi të çarmatoset dhe i gjithë Rripi i Gazës të çmilitarizohet. Paralelisht, Izraeli po punon për të përmbushur nevojat e popullsisë civile, përfshirë çështjet e higjienës dhe përgatitjet për sezonin e dimri’’, thuhet nga ministria e Jashtme e Izraelit.
Për këtë ka shkruar edhe i Përfaqësuesi i Lartë për Gazën, Nickolay Mladenov. Ky i fundit, e ka mirëpritur këtë hap, duke e vlerësuar të njëjtin si të ‘’rëndësishëm’’ dhe ‘’domethënës’’.
‘Izraeli ka nënshkruar Marrëveshjen për Statusin e Forcave (SOFA) për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza. E mirëpres këtë hap të rëndësishëm dhe domethënës në rrugën e gjatë dhe të vështirë që na pret. Ky hap hap rrugën për dislokimin fillestar të forcave dhe na afron me punën konkrete për çmilitarizimin, tranzicionin dhe rimëkëmbjen. Çdo përparim në këtë proces është arritur me shumë përpjekje. Rruga përpara mbetet sfiduese për të gjithë, megjithatë, hapa të tillë na kujtojnë se e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara është ajo e përcaktuar në Planin Gjithëpërfshirës të Presidentit Trump. Jemi të gatshëm të vazhdojmë punën., ka shkruar ai.

