Presidenti Vladimir Putin tha se Moska nuk pajtohet me disa pjesë të një plani amerikan për mënyrën e përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, pas bisedimeve me negociatorët e SHBA-së në Kremlin.
“Herë pas here thamë se po, mund ta diskutojmë këtë, por me këtë nuk mund të biem dakord”, tha Putin për India Today.
Ai nuk i përmendi pikat problematike. Të paktën dy pika kryesore mbeten të kontestuara, fati i territoreve ukrainase të pushtuara nga forcat ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
I dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, i cili udhëhoqi ekipin amerikan në bisedimet e së martës, pritet të takohet me negociatorët ukrainas në Florida. Trump tha se bisedimet ishin “mjaft të mira”, duke shtuar se ishte herët për të thënë se çfarë do të ndodhte.
Putin tha se Moska nuk kishte parë një version të modifikuar të planit amerikan për paqe para bisedimeve të tij gati pesë-orëshe me Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e Trump.
“Na duhej të kalonim çdo pikë, prandaj zgjati kaq shumë”, tha Putin.
Ai theksoi përsëri se trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga rajoni lindor i Donbasit, madje edhe nga zonat që ende kontrollohen prej tyre. Forcat ruse aktualisht kontrollojnë rreth 85% të Donbasit. “Ose ne i rikthejmë këto territore me forcë, ose eventualisht trupat ukrainase të tërhiqen”, tha presidenti rus.
Këshilltari i lartë për politikën e jashtme dhe negociatori kryesor i Putinit, Yuri Ushakov, tha më parë se bisedimet në Kremlin nuk prodhuan “asnjë kompromis” për përfundimin e luftës. Ushakov gjithashtu nënkuptoi se pozicioni negociator rus ishte forcuar falë asaj që Moska e quante sukseset e saj të fundit në terren.
Kur një gazetar e pyeti të mërkurën nëse Witkoff dhe Kushner besonin se Putin donte të përfundonte lufta, Trump tha se lideri i Kremlinit “do të donte të përfundonte luftën. Kjo ishte përshtypja e tyre”. Por ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybhiia, akuzoi Putinin se po “humbet kohën e botës”, ndërsa ambasadori ukrainas në SHBA tha se ata nuk “duan të presin premtime nga Rusia”.
