Policia Rrugore u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë fundjavës, pasi priten reshje të dendura shiu.
Përmes një njoftimi, Policia rrugore apelon që shoferët të tregohen të kujdesshëm me shpejtësinë, parakalimet e gabuara, konsumin e alkoolit, etj.
Po ashtu, Policia Rrugore bën të ditur se është prezente në akset rrugore nacionale, urbane e rurale, duke përdorur mjetet inteligjente për matjen e shpejtësisë, dronët dhe alkooltestuesit.
Nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara nga shërbimet e Policisë Rrugore, më së shumti gjatë fundjavëve, shkelje që përbëjnë rrezik të madh për përfshirje në ngjarje rrugore, si dhe nisur nga fakti që parashikohet që përgjatë fundjavës të ketë reshje shiu, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve:
Të tregojnë kujdes në akset rrugore ku mund të ketë prezencë uji.
Të mos drejtojnë automjetet apo motomjetet me shpejtësi tej normave të lejuara.
Të mos drejtojnë automjetet dhe motomjetet nën efektin e alkoolit apo, më keq akoma, në gjendje të dehur, por të përdorin automjetet e transportit publik.