Pakistani i ka përcjellë Iranit një paralajmërim nga Arabia Saudite që të frenojë aleatët e tij Huthë në Jemen, pasi këta të fundit kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite.
Sipas burimeve saudite, pakistaneze dhe iraniane, ndërhyrja e Pakistanit synon të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës në rajon.
Huthët sulmuan të martën një bazë ajrore në Khamis Mushait dhe infrastrukturë të naftës në qytetet përreth, duke plagosur 73 persona. Ky ishte një nga sulmet më të mëdha ndaj Arabisë Saudite që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në shkurt.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha të mërkurën se avionët luftarakë sauditë kanë kryer 54 sulme ajrore në provinca të ndryshme të Jemenit gjatë 12 orëve të fundit.
Ai paralajmëroi se sulmet saudite “nuk do të mbeten pa përgjigje dhe pa ndëshkim”.
Përshkallëzimi i konfliktit rrezikon të hapë një front të dytë lufte që mund të kërcënojë furnizimet globale me energji, në një kohë kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë valën më të madhe të deklaruar të sulmeve reciproke ndaj transportit detar në rajonin e Gjirit që nga fillimi i luftës.
Paralajmërimi i Pakistanit
Paralajmërimi i Pakistanit ndaj Iranit konsiderohet i rëndësishëm për shkak të marrëveshjes së tij të mbrojtjes me Arabinë Saudite dhe Turqinë.
Zyrtarët në Islamabad kanë theksuar se çdo rol ushtarak i Pakistanit do të kufizohej në mbrojtjen e territorit saudit.
Megjithatë, ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Asif, tha se sulmet që do të shtriheshin në territorin e Arabisë Saudite mund të aktivizonin marrëveshjen e përbashkët të sigurisë mes Riadit, Ankarasë dhe Islamabadit.




