Deputetët e Kuvendit të Serbisë nisën seancën për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Serbisë.
Në seancë po marrin pjesë kryeministri Gjuro Macut dhe anëtarët e kabinetit të tij.
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Popullore të Serbisë (NPS), Mirosllav Alleksiq, tha se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është nxitur kryesisht nga afera e njohur si “Shtabi i përgjithshëm” dhe roli i ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, në këtë rast.
Mocioni u dorëzua nga 62 deputetë të opozitës në muajin shkurt, pasi Prokuroria për Krimin e Organizuar nisi hetime ndaj Sellakoviqit dhe tre zyrtarëve të tjerë.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë falsifikuar dokumente për t’ia hequr statusin e monumentit të mbrojtur kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, i cili u dëmtua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Heqja e këtij statusi hapi rrugën për ndërtimin e një kompleksi luksoz banesor dhe afarist në një nga zonat më të vlefshme të qendrës së Beogradit.
Megjithatë, Jared Kushner – dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump – u tërhoq më pas nga invesimi.
