Komisioni Evropian e ka propozuar të mërkurën një buxhet prej 2 trilionë eurosh për Bashkimin Evropian për periudhën 2028–2034, duke vendosur theks të ri mbi konkurrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen.
“Ky është një buxhet që i përgjigjet ambicies së Evropës, që përballet me sfidat e saj dhe që forcon pavarësinë tonë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para gazetarëve në Bruksel.
“Buxheti është më i madh. Është më i zgjuar dhe më i mprehtë. Ai jep rezultate për qytetarët dhe bizneset tona, për partnerët tanë dhe për të ardhmen tonë”, shtoi ajo.
Komisioni tha se propozimi përfaqëson 1.26% të Prodhimit Kombëtar Bruto të Bashkimit Evropian me 27 vende anëtare, një matës i madhësisë së ekonomisë, krahasuar me 1.13% në buxhetin e tanishëm shtatëvjeçar.
Buxheti i ri duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare dhe të nënshkruhet nga Parlamenti Evropian.
Propozimi përfshin 451 miliardë eurosh për Fondin e ri të Konkurrueshmërisë Evropiane, i fokusuar në forcimin e industrisë së mbrojtjes, nxitjen e inovacionit dhe mbështetjen e tranzicionit të industrisë drejt energjisë së pastër në të gjithë bllokun.
Propozimi ndan 131 miliardë euro në veçanti për mbrojtjen dhe hapësirën, një rritje e pesëfishtë në krahasim me shkallën e tanishme, sipas komisionit.
Gjithashtu, parashikohen 302 miliardë euro për të mbështetur fermerët dhe të paktën 218 miliardë euro për rajonet më pak të zhvilluara të Evropës, si dhe 200 miliardë euro për programe globale.