Italia po modernizon Kodin Penal për ta bërë më të lehtë ndjekjen penale të sulmit seksual, në një rast të rrallë bashkëpunimi midis koalicionit të Kryeministres Giorgia Meloni dhe ligjvënësve opozitarë.
Ligjvënësit nga Partia e djathtë “Vëllezërit e Italisë” e Melonit dhe opozita e majtë Demokratike votuan unanimisht të mërkurën në Dhomën e Ulët të Parlamentit, me 227 ligjvënës të pranishëm, për të zgjeruar përkufizimin e dhunës seksuale në aktet pa pëlqim.
Sipas Kodit Penal aktual, përdhunimi përkufizohet si akt i kryer me dhunë, kërcënime ose keqpërdorim të autoritetit. Kritikët thonë se këto kritere i pengojnë viktimat të denoncojnë ngjarjen nga frika se nuk do t’u besohet nëse nuk mund të tregojnë shenja fizike të dhunës ose të provojnë se kanë përpjekur të rezistojnë sulmit.
“Është shumë e qartë se seksi pa pëlqim është përdhunim,” tha Laura Boldrini, ligjvënëse Demokratike që ka shtyrë për këtë ndryshim. “Kemi pasur disa vendime që ishin me të vërtetë tronditëse sepse nuk kishte një parim të pëlqimit në sistemin tonë ligjor.”
Mbështetësit thonë se reforma do të zhvendosë fokusin e ndjekjeve penale nga pyetjet mbi sjelljen e viktimave tek ajo e kryesve të veprave. Në 2022, një burrë u shpall i pafajshëm për përdhunim të një gruaje në një banjo, pasi gjyqtari vendosi se dështimi i saj për të mbyllur derën plotësisht ishte “një ftesë” për burrin. Një vit më vonë, Gjykata e Lartë e Italisë e rrëzoi pafajësinë dhe urdhëroi një rigjykim.
Aktualisht, nëse viktimat ngurrojnë, kanë frikë ose nuk janë në gjendje të rezistojnë sulmit, nuk do t’u besohet, tha Boldrini. “Gjatë gjykimeve, avokatët e burrave përpiqen të pyesin gruan: si reaguat? A thatë jo? A e shtytët mbrapa?”
Carolina Varchi, ligjvënëse e “Vëllezërit e Italisë” që çoi ligjin përmes komitetit të drejtësisë, e ka quajtur këtë ligj “hap historik” që do të bëjë të qartë se çdo akt seksual “pa pëlqim të lirë, të vetëdijshëm dhe të aktualizuar është krim”.
Meloni nuk ka bërë asnjë koment të drejtpërdrejtë mbi ndryshimin, i cili ende duhet të aprovohet nga Senati para se të bëhet ligj.
Azzurra Rinaldi, ekonomiste dhe autore feministe, krahasoi ndryshimin ligjor me një “revolucion” në një shoqëri ku fajësimi i viktimave të përdhunimit ishte ende i zakonshëm, megjithatë tha se duhet të ndiqet nga ndryshime më të gjera shoqërore.
