Hamasi tha të premten se kishte rënë dakord të lironte të gjithë pengjet izraelite, të gjallë ose të vdekur, sipas kushteve të propozimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën, dhe sinjalizoi gatishmërinë për të hyrë menjëherë në negociata të ndërmjetësuara për të diskutuar detajet.
Në një kopje të deklaratës të parë nga Reuters, Hamasi dha përgjigjen e tij ndaj planit 20-pikësh të Trumpit pasi presidenti i ShBA-së i dha grupit militant palestinez afat deri të dielën për ta pranuar ose refuzuar propozimin. Trump nuk ka thënë nëse kushtet do të jenë subjekt i negociatave, siç po kërkon Hamasi.
Vlen të përmendet se Hamasi nuk tha nëse do të binte dakord me një kusht për çarmatosje, një kërkesë nga Izraeli dhe ShBA-ja që e ka refuzuar më parë.
Në deklaratën e tij, Hamasi tha se “vlerëson përpjekjet arabe, islamike dhe ndërkombëtare, si dhe përpjekjet e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, i cili bën thirrje për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, shkëmbimin e të burgosurve dhe hyrjen e menjëhershme të ndihmave”, ndër të tjera.
Hamasi deklaroi se po njoftonte “miratimin e tij për lirimin e të gjithë të burgosurve – si të gjallë ashtu edhe të vdekur – sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump, me kushtet e nevojshme në terren për zbatimin e shkëmbimit”.
