Presidenti i Ukrainës, Volidymyr Zelensky ka bërë një adresim të fundit, duke paralajmëruar kompanitë ajrore ndërkombëtare, siguruesit e aviacionit dhe operatorët se hapësira ajrore e Rusisë po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.
Sipas Zelenskyt, aktiviteti i mjeteve ajrore pa pilot mbi territorin rus, i lidhur me luftën në Ukrainë, po krijon rreziqe në rritje për aviacionin.
Presidenti ukrainas ka theksuar se autoritetet ruse nuk po lëshojnë paralajmërimet standarde për aviacionin dhe nuk po i raportojnë siç duhet këto rreziqe tek operatorët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se Ukraina nuk kërcënon aviacionin civil si të tillë.
“Thjesht do të ketë dronë në qiellin e Rusisë në një shkallë që duhet të merret në konsideratë. Edhe pse autoritetet ruse nuk po i informojnë siç duhet njerëzit për këtë, hapësira ajrore ruse në fakt do të mbyllet, lufta e filluar nga Rusia po i mbyll qiellin e saj.”, ka thënë Zelensky.
Zelensky ka shtuar se në Ukrainë nuk duan që të humbasin jetë të pafajshme.
“Kjo është arsyeja pse po i paralajmërojmë partnerët tanë: ditët e sigurta në qiellin e Rusisë kanë mbaruar. Është e rëndësishme që kjo të dëgjohet nga ambasadorët e vendeve të përfaqësuara këtu në Ukrainë, si dhe nga ambasadorët që punojnë në Moskë. Secili prej tyre e di saktësisht se çfarë do të thotë lufta e Rusisë për vendin dhe popullin tonë, dhe ata duhet ta përcjellin këtë informacion në kryeqytetet e tyre. Është e rëndësishme që edhe linjat ajrore që aktualisht fluturojnë në aeroporte kryesisht në Moskë, Shën Petersburg dhe destinacione të tjera kryesore në Rusi ta dëgjojnë këtë.”, ka thënë ai.