Kërcënimi i vërtetë me të cilin përballet Hungaria nuk është Rusia, por Bashkimi Europian, u tha Kryeministri Viktor Orban mbështetësve të shtunën, ndërsa partia e tij nacionaliste intensifikon fushatën e saj anti-europiane përpara zgjedhjeve kombëtare.
Me vetëm tetë javë të mbetura deri në votimin e 12 prillit, Orban dhe partia e tij Fidesz përballen me sfidën e tyre më serioze që kur udhëheqësi populist i krahut të djathtë u rikthye në pushtet në vitin 2010.
Shumica e sondazheve të pavarura tregojnë se Fidesz është pas partisë së qendrës së djathtë Tisza dhe udhëheqësit të saj, Peter Magyar. Në fjalimin e tij, Orban e krahasoi BE-në me regjimin shtypës sovjetik që sundoi Hungarinë për më shumë se 40 vjet në shekullin e kaluar dhe hodhi poshtë bindjen e shumë udhëheqësve evropianë se Vladimir Putin është një kërcënim për sigurinë e kontinentit.
“Duhet të mësohemi me idenë se ata që e duan lirinë nuk duhet të kenë frikë nga Lindja, por nga Brukseli”, tha ai, duke iu referuar kryeqytetit de facto të BE-së në Belgjikë.
“Ngritja e frikës për Putinin është primitive dhe e papërgjegjshme. Brukseli, megjithatë, është një realitet i prekshëm dhe një burim rreziku i menjëhershëm. Kjo është e vërteta e hidhur dhe ne nuk do ta tolerojmë atë”, tha Orban.
Orban ka qenë një kundërshtar i vendosur i ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Kievin që kur Rusia nisi pushtimin e saj gati katër vjet më parë, dhe mban lidhje të ngushta me Moskën, ndërsa ka miratuar një qëndrim agresiv ndaj partnerëve të Hungarisë në BE dhe NATO, të cilët ai i përshkruan si luftënxitës.
“Bashkimi Evropian ka vendosur të shkojë në luftë deri në vitin 2030. Nuk është se donte, mundte ose planifikonte ta bënte këtë, e ka vendosur. Zgjedhjet e prillit do të jenë zgjedhjet e fundit hungareze para luftës. Qeveria e ardhshme do të duhet të vendosë për çështjen e luftës dhe paqes. Brukseli ka vendosur që forcat ruse do të mposhten në tokën ukrainase. Kudo, përveç në Hungari dhe Sllovaki, përgatitjet për një luftë të mundshme janë duke u zhvilluar në mënyrë aktive. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është futur tashmë në nëntë vende, dhe në disa vende është zgjeruar edhe për gratë. Popullsisë po i dërgohen udhëzime se çfarë të bëjë në rast lufte, shpenzimet ushtarake janë rritur ndjeshëm. Janë nënshkruar marrëveshje që njësitë ushtarake do të dërgohen më vonë në Ukrainë, ato do të dërgohen drejt vdekjes së tyre”, theksoi ai.
Në dhjetor, ai tha se “nuk është e qartë se kush sulmoi kë” kur dhjetëra mijëra forca ruse pushtuan kufirin ukrainas në shkurt të vitit 2022.
Qeveria e Hungarisë ka qenë prej kohësh në kundërshtim me BE-në, e cila ka “ngrirë” miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të shqetësimeve se Orban ka çmontuar institucionet demokratike, ka minuar pavarësinë e gjyqësorit dhe ka lejuar përhapjen e korrupsionit.
Në këmbim, Orbán po vepron gjithnjë e më shumë si një element reaksionar në vendimet e BE-së, duke kërcënuar sistematikisht të vërë veton ndaj politikave kryesore, siç është ofrimi i mbështetjes ekonomike për Ukrainën.


