Gati një muaj pasi SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje të përkohshme paqeje për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-të, Izraelit dhe Iranit, përplasjet ushtarake në Gjirin Persik kanë rifilluar.
Irani është zemëruar pasi SHBA-të u kërkuan anijeve tregtare të shmangnin Ngushticën e Hormuzit dhe të përdornin një rrugë alternative pranë bregdetit të Omanit. Teherani e konsideron këtë një përpjekje për të dobësuar kontrollin e tij mbi këtë kalim detar shumë të rëndësishëm.
Si përgjigje, Irani ka rifilluar sulmet ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në rrugë që ai i cilëson si “të paautorizuara”. Nga ana tjetër, SHBA-të kanë kryer sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në juglindje të Iranit, ndërsa Teherani ka goditur sërish vende të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe ka paralajmëruar se mund të godasë edhe infrastrukturë civile, si ura dhe termocentrale, nëse Irani nuk rikthehet në negociata.
SHBA përdor për herë të parë dronë detarë
Të dielën, 12 korrik, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) publikoi pamje që tregonin përdorimin për herë të parë të dronëve detarë në luftë.
Sipas ushtrisë amerikane, tre mjete detare pa pilot sulmuan një objekt që përdorej për mirëmbajtjen e nëndetëseve dhe anijeve në portin iranian të Bandar Abbas. Pamjet tregojnë momentin kur dronët godasin objektivin dhe shpërthejnë në flakë.
Bandar Abbas, objektivi kryesor
Bandar Abbas është një nga qytetet më të rëndësishme portuale të Iranit. Aty ndodhet terminali më i madh i kontejnerëve në vend dhe përmes tij kalon më shumë se gjysma e trafikut detar iranian.
Që nga fundi i shkurtit, qyteti është goditur vazhdimisht nga sulmet amerikane. Sipas të dhënave të Armed Conflict Location and Event Data Project (ACLED), janë regjistruar të paktën 96 sulme në zonën e Bandar Abbas gjatë luftës.
Rreth një e treta e tyre kanë pasur në shënjestër baza ushtarake, pozicione raketore dhe infrastrukturë detare. Në një nga këto sulme u vra edhe komandanti i Marinës së Gardës Revolucionare, Alireza Tangsiri.
Pse është kaq e rëndësishme Ngushtica e Hormuzit?
