Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi do të mblidhet të shtunën në mesditë pas arrestimit të 11 personave – përfshirë një ish-ministër – një ditë më parë, në cilësinë e të dyshuarve në rastin e rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë 16 persona të vdekur.
Mbledhja është caktuar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 1 gusht, se Serbia nuk ka qenë me vite në pozitë kaq të vështirë.
“Kemi kaluar nëpër shumë kriza, vërshime, kriza me migrantë, koronavirusi, lufta në Ukrainë, shumë gjëra janë ashpërsuar, shumë provokime janë kryer ndaj nesh në Kosovë, sulmet në Srebrenicë, gjithçka tjetër. Mirëpo, Serbia nuk ka qenë në pozitë kaq të vështirë prej vitit 2008 e këndej”.
Zyra e Prokurorit për Krim të Organizuar ka bërë të ditur fillimisht më 1 gusht për arrestimin e gjashtë të dyshuarve për përfshirje në krime të lidhura me korrupsion, lidhur me projektin për modernizim të stacionit në Novi Sad. Në mesin e të arrestuarve ka qenë ish-ministri serb, Tomisllav Momiroviq.
Në pasditen e 1 gushtit është bërë e ditur se janë arrestuar edhe pesë persona tjerë.
Prokuroria ka bërë të ditur se në mesin e të arrestuarve janë Nenad Ignjatoviq, personi përgjegjës dhe pronari i kompanisë “Deko tim”, Slobodanka Kataniq, menaxhere për investime në kompaninë “Infrastruktura hekurudhore e Serbisë”, si dhe individë tjerë përgjegjës për çështje biznesore në projekt.
Projekti i rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad ka zgjatur tre vjet.
