Një defekt në sistemin e telekomunikacionit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), gjatë punimeve për zëvendësimin e kabllove të vjetra të bakrit me fibra optike, shkaktoi një nga ndërprerjet më të mëdha të trafikut ajror në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Problemi, i cili çoi në pezullimin e fluturimeve për rreth katër orë të premten, vijoi të shkaktonte kaos edhe gjatë fundjavës. Mijëra fluturime u anuluan, të tjera pësuan vonesa të konsiderueshme dhe shumë pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroportet kryesore të vendit.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, bëri të ditur se ndërprerja ndodhi gjatë punimeve të mirëmbajtjes në një objekt të largët të FAA-s, ku një kontraktor po zëvendësonte linjat e vjetra të telekomunikacionit prej bakri me kabllo me fibra optike.
Autoritetet po hetojnë nëse shkaku ishte një gabim njerëzor apo instalimi i një pajisjeje me defekt.
Gjatë një konference për shtyp të shtunën, Duffy shpjegoi se problemi nisi gjatë asaj që ishte parashikuar të ishte një ndërhyrje rutinë mirëmbajtjeje.
“ Ajo që po përpiqemi të përcaktojmë është nëse ka pasur paaftësi apo nëse është instaluar një router me defekt”, deklaroi ai, duke lënë të hapura të dyja mundësitë.
Sipas tij, pasi teknikët arritën të izolonin punimet që po kryheshin në objekt, sistemet u rikthyen në funksion dhe FAA hoqi urdhrin për pezullimin e fluturimeve.
Duffy theksoi se infrastruktura amerikane e kontrollit të trafikut ajror mbështetet ende në teknologji shumë të vjetër, duke nënvizuar se problemi nuk lidhet vetëm me pajisjet, por edhe me vetë sistemin e telekomunikacionit.
Ai shtoi se pikërisht vjetërsia e kabllove ishte arsyeja pse kishin nisur punimet për modernizimin e tyre.
Mbi 12 mijë fluturime të anuluara
Edhe pse hapësira ajrore amerikane u rihap pas rreth katër orësh, pasojat e ndërprerjes vazhduan të ndiheshin në të gjithë vendin.
Sipas platformës së gjurmimit të fluturimeve FlightAware, deri në orën 11:00 të paradites së së shtunës, sipas orës lindore, ishin anuluar më shumë se 4 mijë fluturime për në, nga ose brenda Shteteve të Bashkuara. Këtyre u shtoheshin mbi 8 mijë anulimet e regjistruara gjatë së premtes, duke e çuar numrin total në më shumë se 12 mijë.
Ndërprerja konsiderohet pezullimi më i gjatë total i fluturimeve në SHBA në 25 vitet e fundit. Problemet prekën disa prej aeroporteve më të rëndësishme të vendit, përfshirë ato të Bostonit, Uashingtonit, Nju Jorkut dhe Miamit.
FAA: Situata pritet të normalizohet të dielën
Administratori i FAA-së, Brian Bedford, u kërkoi falje pasagjerëve për kaosin e krijuar, duke deklaruar se pjesa më e rëndë e krizës kishte kaluar.
Ai paralajmëroi se vonesat dhe anulimet do të vazhdonin edhe gjatë së shtunës, por shprehu besimin se deri në fund të së dielës kompanitë ajrore do të arrinin të rikthenin plotësisht oraret e tyre.
Bedford përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik apo të një incidenti të lidhur me inteligjencën artificiale. Sipas tij, nuk kishte prova për ndonjë aktivitet keqdashës dhe hetimet po përqendroheshin te identifikimi i komponentit teknik që shkaktoi defektin.



