Moska ka sinjalizuar për herë të parë se nuk do ta kundërshtojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve evropianë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke hapur rrugën për përfshirjen e një delegacioni të Bashkimit Evropian në rundin e ardhshëm të bisedimeve.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia nuk ka ndërmend të përcaktojë se kush duhet ta përfaqësojë BE-në në tryezën e negociatave, ndonëse më herët kishte këmbëngulur se përfaqësuesit evropianë “nuk kanë punë” aty.
“Ne nuk mund dhe nuk duam të vendosim kushte për ekipin e tyre negociator. Kjo është mënyrë krejtësisht e gabuar për ta paraqitur çështjen”, tha Peskov për mediat lokale të shtunën.
Ai shtoi se Moska duhet fillimisht të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit evropianë, për të kuptuar “në çfarë mase qëndrimi i tyre mund të kontribuojë në procesin e paqes”.
Deklarata e fundit shënon një ndryshim të dukshëm në tonin e Rusisë ndaj Brukselit, pasi në muajt e fundit Moska kishte akuzuar vazhdimisht Evropën se po “zgjat luftën” dhe po “shton vuajtjet e njerëzve të zakonshëm” përmes mbështetjes që i jep Ukrainës.
