Një operacion i gjerë antidrogë në Stamboll ka përfshirë disa figura të njohura të artit dhe biznesit në Turqi. Mes personave të ndaluar në kuadër të hetimeve janë edhe këngëtari dhe aktori i njohur Ozcan Deniz, si dhe aktoret Deniz Cakir dhe Burcu Ozberk.
Sipas mediave turke, përfshirë T24, Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka lëshuar gjithsej 35 urdhër-ndalime, ndërsa gjatë aksionit të zhvilluar mbrëmjen e së martës janë ndaluar 20 persona.
Në mesin e emrave të përfshirë në këtë operacion është edhe biznesmeni Izzet Ozilhan, anëtar i bordit drejtues të grupit të njohur Anadolu Group. Ai mban gjithashtu postin e nënkryetarit të Shoqatës Turke të Industrisë dhe Biznesit (TUSIAD) dhe është nipi i një prej themeluesve të grupit.
Hetimet kanë në fokus disa vepra të dyshuara penale, përfshirë prostitucionin, trafikimin dhe furnizimin me lëndë narkotike, si dhe përdorimin apo mbajtjen e substancave të paligjshme.
Provat digjitale çojnë në urdhra të rinj ndalimi
Sipas informacioneve të bëra publike nga prokuroria, vendimi për lëshimin e urdhrave të rinj është marrë pas analizimit të disa materialeve të mbledhura gjatë hetimit. Mes tyre përfshihen dëshmi, deklarata të personave të përfshirë, raporte ekspertize dhe të dhëna digjitale të sekuestruara nga telefonat celularë.
