Një nga serialet më të dashura dhe më të ndjekura të publikut shqiptar, “Familja Moderne”, do të rikthehet në ekranet televizive, duke u dhënë mundësinë shikuesve të rijetojnë momentet humoristike që shoqëruan një gjeneratë të tërë.
Lajmi është bërë i ditur nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar ritransmetimin e serialit, kësaj radhe me cilësi të përmirësuar të figurës, në formatin HD.
“Ju mungonte? Edhe neve. Familja Moderne kthehet në RTK, tani në HD. Të njëjtat qeshje, më shumë pikselë”, thuhet në njoftimin e televizionit publik.
Për vite me radhë, “Familja Moderne” ishte një prej prodhimeve më të dashura televizive në Kosovë, duke mbledhur familjet shqiptare para ekranit me personazhet karakteristike, batutat dhe situatat e shumta komike.

