Kënga më e popullarizuar në Kosovë e mbase edhe në shqiptari, “Mora fjalë” është hequr nga të gjitha platformat në internet, pas një kontesti për të drejtat e autorit.
Bëhet fjalë për verzionin origjinal të saj, që këndohej nga Shkurte Fejza, por që është shkruar dhe komponuar nga Naim Gjoshi.
Është ky i fundit, që përmes zyrës ligjore "NewWay Consulting”, konfirmoi për KP se ishte vet ai i cili e bëri kërkesën ta largoj këngën nga çdo kanal zyrtar.
“Në cilësinë e përfaqësuesit ekskluziv të autorit z. Naim Gjoshi për përfaqësimin dhe mbrojtjen ekskluzive të të drejtave të tij mbi tekstet dhe kompozimet, duam të qartësojmë përdoruesit: Çdo vepër e tij që është publikuar apo shpërndarë pa leje në YouTube, Facebook, Instagram, TikTok apo në çdo platformë tjetër, online, të cilat kanë vendosur veprën në dispozicion të publikut kudo në botë, do të trajtohen si përdorim i paautorizuar”, thuhet në konfirmim.
