Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet në monitorim, ndërsa 6 vatra janë ende aktive në qarqet Tiranë, Dibër dhe Lezhë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar 173 forca operacionale, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 16 automjete zjarrfikëse dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Ministria bën me dije se, aktualisht, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
“Sipas informacionit operacional të përditësuar më 30.08.2026, ora 14:00, në territorin e vendit janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.
Vatrat aktive evidentohen në Dajt–Tiranë; Vajkal, Sllatinë, Lundre dhe Ballenjë–qarku Dibër; si dhe Rrilë–qarku Lezhë. Në të gjitha rastet raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata me angazhimin më të konsiderueshëm paraqitet në Sllatinë, ku operojnë 91 forca, dhe në Vajkal, ku janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së.
Në Lundre, Mat, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit në masivin pyjor të favorizuar nga era, është angazhuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.
