Bashkimi Evropian thotë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun evropian, duke iu përgjigjur paralajmërimeve të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, se integrimi evropian nënkupton edhe pranimin e politikës së Brukselit ndaj Rusisë.
Pavarësisht ndikimit rus në disa pjesë të rajonit, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor i kanë harmonizuar politikat e tyre të jashtme me ato të BE-së. Ndërkohë, Bashkimi Evropian mbetet partneri më i madh tregtar dhe strategjik i të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.
Bashkimi Evropian (BE) ka një përgjigje ndaj paralajmërimeve ruse për vendet e Ballkanit Perëndimor: e ardhmja e tyre është në BE.
Ky është mesazhi që Brukseli përcjell pas deklaratës së zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Në mesin e këtij muaji, ajo i kishte “paralajmëruar” vendet e rajonit se integrimi evropian nuk është më vetëm çështje anëtarësimi, por nënkupton edhe pranimin e politikës së Brukselit ndaj Moskës, sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme ruse.
E pyetur se si mund t’i mbrojë vendet që synojnë anëtarësimin nga pasojat e paralajmërimeve ruse, Komisioni Evropian tha se “lufta kundër manipulimit të informacionit nga jashtë, dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera hibride është pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit”.
