Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka thënë se qeveri Kurti kishte agjendë partiake për sa më shumë import të energjisë elektrike.
Sipas saj, kjo u dëshmua edhe me grupin e WhatsApp-it, ku pjesë e tij ishte edhe kryeministri Kurti, ministrja Rizvanolli dhe këshilltari i saj Milot Kelmendi.
“Sa i përket strategjisë për energji të kësaj qeverie, ti e ke rastin e këshilltarit të ministres Rizvanolli, Milot Kelmendi, i cili në LinkedIn prezantohet si ekspert i energjisë, klimës dhe efikasitetit energjetik. I njëjti është pjesë e grupit të WhatsApp-it të tenderit. Nuk ka pasur strategji, ka pasur agjendë partiake që i ka shtyrë gjërat nga ana zyrtare, si me ZRRE, me efikasitet, ashtu edhe nga ana e WhatsApp-it. Nëse ti hyn në tender të WhatsApp-it, atëherë je në agjendë partiake, nuk ka këtu më strategji. Aq shumë janë përzier gjërat që gjithçka të shkojë në drejtim të importit, WhatsApp-it dhe agjendës partiake, aty ku pjesë e këtij grupi është edhe Albin Kurti. Pra, ka pasur agjendë gjatë gjithë kohës për komprometim të sistemit elektroenergjetik”, ka thënë Ymeri në T7.
