Asamblistët e VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë njoftuar se kanë dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Kryetarit të Komunës për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.
Përmes padisë, grupi i asamblistëve ka kërkuar anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.
Në arsyetimin e padisë thuhet se Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për caktimin e çmimit të biletave të transportit publik, pasi kjo kompetencë, sipas tyre, i takon Kuvendit Komunal.
Po ashtu, në padi pretendohet se vendimi krijon trajtim diskriminues, duke përcaktuar çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik në varësi të mënyrës së pagesës, pa një justifikim objektiv dhe proporcional.
