Ndaj këtij vendimi të Dhomave të Specializuara ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se “Gjykata speciale po prodhon padrejtësi”.
“Pas pak ditësh bëhen 10 vite nga themelimi me ndryshime kushtetuese dhe ligje të veçanta të Gjykatës Speciale. Katër nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë afër 5 vite në paraburgim. Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes nga Gjykata Speciale është dëshmi e një logjike të përmbysur të drejtësisë, ku vija ndarëse midis çlirimit dhe agresionit zbehet qëllimshëm, ndërsa përpjekja e një populli për liri vihet nën dyshim me mjete juridike. Ky model i drejtësisë selektive nuk bën drejtësi universale, por prodhon një narrativë të rreme, që e zhvendos fajësinë nga pushtuesi te i çliruari”.
Vetëvendosje, që kishte kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, përsëriti qëndimin e saj sot se ajo është “e themeluar përtej çdo praktike të zakonshme ndërkombëtare” dhe se “ka vepruar si instrument i imponuar mbi sovranitetin e Kosovës”.
“Në vend që t’i shërbejë të drejtës, ajo i ka shërbyer paragjykimit. Madje duke hetuar dhe gjykuar padrejtësisht vetëm një palë, ajo ka përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe që është burimi real i gjenocidit dhe krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Me 29 prill dhe 15 maj 2023 Enver Dugolli si i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës i është drejtuar Prokurorit të Prokurorisë Speciale në Hagë me kërkesën për nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Ndonëse Prokurori ka kthyer përgjigje se kërkesa do të shqyrtohet ende sot nuk ka asnjë veprim të njoftuar në këtë drejtim”.