Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka deklaruar se Raporti i Vendit i Bashkimit Evropian, i njohur më parë si Raporti i Progresit, i ka konfirmuar shqetësimet e vazhdueshme të AGK-së, shoqërisë civile dhe aktivistëve për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë.
Rexha në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se një nga problemet kryesore që cenojnë lirinë e medias janë sulmet ndaj gazetarëve nga zyrtarët e lartë qeveritarë, deputetët dhe përfaqësuesit e politikës.
Ai ka mirëpritur faktin që në raportin e BE-së është identifikuar edhe kryeministri Albin Kurti për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe sulmet ndaj mediave.
“Një prej problemeve kryesore që cenojnë rëndë lirinë e medias në Kosovë janë sulmet që vijnë nga ana e zyrtarëve të lartë qeveritarë, nga ana e deputetëve dhe nga ana e politikës. Dhe neve na vjen mirë në fakt që identifikohet kryeministri i Kosovës si një prej atyre që përdor gjuhë të papërshtatshme dhe sulmon median për punën e tyre. Kjo natyrisht duhet t’i shërbejë kryeministrit Kurti për të reflektuar, sepse nuk i bën nder Kosovës që në raportin e vendit, raportin e progresit të identifikohet kryeministri i vendit si dikush që i sulmon median dhe gazetarët për punën e tyre”, tha Rexha.
Ai ka bërë thirrje që kryeministri Kurti dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! të përmbahen nga deklaratat sulmuese ndaj gazetarëve, të cilat, sipas tij, nxisin denigrimin e tyre në hapësirën online. Rexha ka theksuar se shpeshherë cak i këtyre sulmeve janë gazetaret gra.
“Njëherë shpresoj që kryeministri Kurti të reflektojë, ai bashkë me njerëzit e tij në Vetëvendosje!, që të mos japin deklarata të tilla sulmuese për gazetarët, që shërbejnë pastaj për të inicuar një valë të re të denigrimit online kundër gazetarëve, ku shpeshherë janë gazetarët gra”, theksoi ai.
Rexha ka folur edhe për çështjet e tjera të përfshira në raportin e BE-së, përfshirë rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe ekipeve të tyre, arrestimin gjatë vitit të kaluar të së paku një punëtori të medias, si dhe procesin e zgjedhjes së bordeve të KPM-së dhe RTK-së, për të cilin ka pasur kritika nga shoqëria civile për mungesë transparence.
Ai ka mirëpritur gjithashtu thirrjen e BE-së për një ligj të ri për transmetuesin publik, duke theksuar se sipas AGK-së RTK-ja vazhdon të jetë mjet propagandues i qeverisë dhe se pavarësia financiare është e rëndësishme për të siguruar edhe pavarësinë editoriale.
Duke folur për pengesat me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit, Rexha ka thënë se mbrojtja e afërt e zyrtarëve të lartë publikë, përfshirë kryeministrin Kurti dhe më herët presidenten Vjosa Osmani, në raste të caktuara është bërë pengesë për punën e gazetarëve.




