Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar me tone akuzuese ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas thirrjes së këtij të fundit për krijimin e një gjykate të posaçme ndërkombëtare që do të hetonte krimet e njohura si “Sarajevo Safari”, të kryera gjatë rrethimit të Sarajevë në fillim të viteve ’90.
Kurti e ngriti këtë çështje gjatë konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Instituti i Krimeve të Luftës në Kosovë, duke theksuar se ekzistojnë informacione serioze se persona të ndryshëm kanë paguar për të qëlluar civilë boshnjakë me snajperë, në atë që njihet si “turizëm i snajperëve” – një praktikë e cilësuar si krim i rëndë lufte.
Në reagimin e tij, Vuçiq shmangu thelbin e thirrjes për hetim ndërkombëtar dhe, në vend të kësaj, e drejtoi diskursin drejt akuzave ndaj Prishtinës, duke e lidhur çështjen me tema të tjera, përfshirë “Shtëpinë e Verdhë” dhe pretendime territoriale.
“Mund të organizosh 1,000 gjykata, nuk ia vlen… Por nervozizmi i Prishtines është për shkak të Shtëpisë së Verdhë dhe problemeve që kanë. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Po flasim vetëm për Shtëpinë e Verdhë, por vetë fakti që dikush po u merr 14% të territorit është në kundërshtim me të gjitha dispozitat e së drejtës publike ndërkombëtare, gjë që i bëri evropianët të hidhen tani. Ata e hapën vetë kutinë e Pandorës, nëse dhe kur do ta mbyllin… Nuk jam i sigurt. Ne gjithmonë e kemi respektuar ligjin, kemi parime dhe politikë, dhe këta të tjerët jo”, shprehet Vuçiq.
Kurti e riktheksoi se “e ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.
E kjo qasje e Vuçiqit është përpjekje për të relativizuar krimet e luftës dhe për ta zhvendosur debatin nga përgjegjësia historike drejt polemikave aktuale politike.
Ndërkohë, thirrja e Kurtit për një gjykatë të posaçme është mbështetur nga disa zëra akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët vlerësojnë se hetimi i pavarur i krimeve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet i domosdoshëm për drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin rajonal.
Sipas këtyre vlerësimeve, reagimi i Vuçiqit shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë politike për të delegjitimuar nismat që hapin çështjen e përgjegjësisë për krimet e luftës, duke e përdorur diskursin publik për të sulmuar Prishtinën në vend të adresimit të akuzave në mënyrë substanciale.
Përfshirja e Vuçiqit në vrasjen e civilëve në Sarajevë
Gazetari investigativ kroat Domatoj Margetiq, ka publikuar dhjetëra shkrime e dokumente që e ndërlidhin Vuçiqin me “Sarajevo Safarin”.
Margetiq ka arritur të sigurojë një intervistë me Aleksandar Liçanin, i cili pohon se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i vrasjeve të civilëve në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, në atë që sot njihet si “Sarajeva Safari”.
Liçanin ka deklaruar se ka parë nga afër veprimet e forcave serbe gjatë luftës, duke përmendur konkretisht emra si Sllavoj Aleksiq, Vojisllav Sheshel dhe Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, krimet e kryera në Sarajevë përfshinin vrasjen e civilëve të pafajshëm, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.
“E di se kanë sjellë njerëz edhe nga shtete të tjera që vepronin në të njëjtën mënyrë – pra vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, civilëve, grave dhe të moshuarve nëpër Sarajevë”, ka deklaruar Liçanin, duke shtuar se nuk e duron dot faktin që sot shpesh krijohet përshtypja se “të gjithë jemi njësoj”.
Gjatë intervistës, gazetari kroat e ka pyetur dëshmitarin edhe për akuzat se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka qenë vetëm i përfshirë në organizime, por se ka shtënë personalisht me snajper nga zona e varrezave hebraike në Sarajevë.
