Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes lidhur me dënimin e ish-zyrtares së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, e dënuar për spiunazh.
Gjykata Themelore i pati listuar rastet kur Gjukanoviq, si punonjëse e OSBE-së në Kosovë ka raportuar për shërbimin sekret serb, BIA. Në aktgjykimin e plotë të Gjykatës Themelore, me të cilin Gjukanoviq është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Spiunazh”, e të cilin e ka siguruar KOHA, tregohet se ajo ka paraqitur edhe “shqetësimet” që OSBE-ja në Mitrovicë i ka paraqitur për kryetarin e zgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Dragisha Milloviq. Ato ia kishte përcjellë agjentit të Shërbimit Sekret Serb, Aleksandër Vllajiq, po ashtu i dënuar në Kosovë për spiunazh.
Sipas konstatimit të Gjykatës, Gjukanoviq e kishte njoftuar Vllajiqin edhe për Adriana Hoxhiqin, për të cilën kishte thënë se ishte e pakënaqur me mungesën e pushtetit.
Informatat që e pandehura Gjukanoviq i ka mbledhur “në hollësi” dhe “me përkushtim”, Gjykata ka konstatuar se ia ka përcjellë në kohë reale të pandehurit Vllajiq.
