Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk arriti të takohet dot me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Besant gjatë qëndrimit në New York.
Vuçiq u tha gazetarëve serbë se nuk u takua me Besant, edhe pse takimi ishte rregulluar, sepse “papritmas ministri amerikan pati një takim të ri”. Por shtoi se zyrtarët me të cilët foli – Richard Grenell dhe John Jovanoviq – ishin “në koordinim” me Besent, raporton Nova.rs .
Me Grenell, të dërguarin special të presidentit amerikan për misione speciale, dhe Jovanoviq, presidentin e ri të Bankës Amerikane të Eksport-Importit (EXIM), ai diskutoi gjithashtu tarifat prej 35 përqind të aplikuara për mallrat nga Serbia.
“Kemi folur për këtë, por do të jetë një proces më i gjatë. Shpresoj ta zgjidhim me sukses. Shoh që rruga është e gjatë, por ende ka dritë në fund të tunelit, pavarësisht procedurave shumë të ndërlikuara”, tha Vuçiq, i cili ndodhet në Nju Jork duke marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
