Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënp se m inistri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq është takuar “krejt rastësisht” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke mohuar pretendimet se ai ishte ftuar në SHBA për t’u informuar mbi një marrëveshje sekrete për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Reagimi i Vuçiqit erdhi pasi ish-ambasadori i Serbisë në Washington, Nebojsha Vujoviq, deklaroi për agjencinë “Beta” se qëllimi kryesor i vizitës së Gjuriqit në Washington ishte informimi për një “marrëveshje sekrete dhe detyruese” që do të çonte drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.
Sipas Vujoviqit, Gjuriq ishte ftuar që Rubio, në emër të Qeverisë amerikane dhe presidentit Donald Trump, ta njoftonte për këtë marrëveshje. Ai madje pretendoi se një zhvillim i tillë do të përbënte sukses për Trumpin dhe njëkohësisht do të ndikonte në raportet me Bashkimin Evropian dhe Rusinë, ndërsa do t’i jepte kohë Vuçiqit të forconte pushtetin e tij në Serbi.
Por, nga Kazakistani, Vuçiq i quajti këto pretendime “trillime”.
“Nuk më shkon ndërmend, jo me Marco Rubion, por as me Shën Pjetrin, të flas për Kosovën. Kosova është Serbi dhe do të jetë. Ky është fundi i historisë”, është shprehur ai, sipas raportimit të “Kossev”.
