Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara, pas kthimit nga presidentja Justina Shiroka-Pula në Kuvend për rishqyrtim, nuk mund të amandamentohet në formën aktuale, por duhet të nisë nga zero nëse synohet ndryshimi i tij.
Duke komentuar zhvillimet rreth këtij ligji në Five në TV Dukagjini, Kryeziu ka thënë se presidentja ka të drejtë që një ligj ta kthejë në Kuvend vetëm një herë, ndërsa Kuvendi mund ta miratojë sërish me së paku 61 vota, pa pasur nevojë për dekretimin e tij nga presidentja.
“Në bazë të Kushtetutës, neni 80, kryetari i shtetit, presidenti ka vetëm një herë të drejtë ta kthejë ligjin. Që nënkupton ligjin e suspendon dhe duhet të bëhet një ligj i ri. Nëse parlamenti i Kosovës nuk dëshiron ta bëjë një ligj të ri, atëherë brenda katër javëve, në bazë të Rregullores së Parlamentit, duhet të votohet dhe minimumi t’i ketë 61 vota. Që nënkupton ligji hyn në fuqi drejtpërdrejt pa u dekretuar nga presidenti”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai i ka cilësuar si të paprecedentë zhvillimet aktuale rreth këtij ligji, duke vlerësuar se nuk kanë një qartësi të mjaftueshme procedurale dhe kushtetuese.
“Këto situata që ne po i shikojmë, për mua janë paprecedent dhe nuk kanë ndonjë filozofi kështu të qartë procedurale ose kushtetuese. Ligji ose duhet të amandamentohet dhe të fillojë nga zero. Ose duhet të kalojë, t’i kthehet me 61 vota dhe të hyjë në fuqi pa u nënshkruar nga presidenti”, ka thënë ai.
Kryeziu ka theksuar se ligji aktualisht nuk mund të ndryshohet përmes amendamenteve, pasi është suspenduar pas kthimit nga presidentja. Sipas tij, nëse synohet ndryshimi i përmbajtjes, duhet të iniciohet një proces i ri ligjvënës, duke nisur nga procedurat fillestare parlamentare.
“Ky ligj nuk ka të drejtë të amandamentohet sepse është i suspenduar, por mund të amandamentohet nëse fillon nga zero. Sikurse ka filluar për herë të parë, miratohet në Parlament, i ka ato procedurat në rastin e parë e të dytë e kështu me radhë, në komisionet profesionale. Përndryshe, kështu siç është ligji nuk ka të drejtë të amandamentohet. Vetëm mund të votohet me 61 vota, të cilat i parasheh Rregullorja e Kuvendit”, është shprehur Kryeziu.
Ish-gjyqtari i Kushtetueses ka folur edhe për kompetencën e presidentes në kthimin e ligjit, duke thënë se ajo është dashur të veprojë në mënyrë të pavarur nga partitë politike.




