Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pikën I dhe II- pjesën liruese ndaj të akuzuarve Bedri Kraniqi dhe Alban Dezdari lidhur me akuzën për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë. Ndërkaq është ndryshuar aktgjykimi sa i përket pikës III, duke liruar kështu Alban Dezdarin nga akuza për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 shtator 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Bedri Krasniqit lidhur me akuzën për “Vrasje të rëndë në bashkëkryerje” dhe “Vrasje të rëndë në tentativë, në bashkëkryerje”, kurse Alban Dezdari u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimi të Apelit të marrë më 17 dhjetor 2025, ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte ushtruar Prokuroria Speciale, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe për shkak të shkeljes se Ligjit Penal. PSRK kishte propozuar që Apeli ta prish aktgjykimin e Themelores sa i përket pjesës liruese dhe që dy të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit, apo që lëndën ta kthejë në rivendosje.
Mbrojtësi i të akuzuarit Alban Dezdari, avokati Florent Latifaj, ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që Apeli të anulojë aktgjykimin e ankimuar, dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga aktakuza, me arsyetimin se nuk ka prova nga të cilat vërtetohet që Dezdari të ketë kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor.
Kurse, Prokuroria e Apelit përmes me parashtresës ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e PSRK-së dhe të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar sa i përket pjesës liruese dhe të akuzuarit Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdari- të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave të KPRK-së, apo aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe lënda për këtë pikë të kthehet në rigjykim. Ndërsa, ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Dezdari, të refuzohet si e pabazuar.
Kolegji penal i Gjykatës së Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, siç pretendon në ankesë Prokuroria Speciale sa i përket pikës I. dhe II. të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar, në pjesën liruese për dy të akuzuarit, për “Vrasje të rëndë në bashkëkryerje” dhe “Vrasje të rëndë në tentativë në bashkëkryerje”.
Apeli vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye në raport me të gjitha provat që janë administruar, duke arsyetuar konkretisht se cilave prova ua ka falë besimin dhe cilave jo, në raport me faktet e çështjes penale.
“… edhe Gjykata e Apelit vlerëson se arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë janë të drejta dhe qojnë në konkludimin që ka nxjerr gjykata e shkallës së parë, se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar”, thuhet në vendim.
Apeli nuk e gjen të bazuar pretendimin e Prokurorisë se Themelorja nuk ua ka falur besimin provave që janë administruar në shqyrtim gjyqësor.
Në vendimin e Apelit thuhet se gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe se në këtë drejtim asnjë fakt nuk ka ngelur në mëdyshje sikurse pa të drejtë pretendohet në ankesën e ushtruar nga Prokuroria.
Aty thuhet se Prokuroria Speciale aktakuzën ndaj Krasniqit dhe Dezdarit e ngriti duke u mbështetur në deklaratën e Shkumbin Mehmetit.
“Kolegji vëren se dëshmitari Sh.M është person i dënuar si kryes i veprës penale në lidhje me ngjarjen e datës me 23 mars 2004 kur ishte sulmuar një patrollë e Policisë së UNMIK-ut, me ç’rast kishin vdekur policët P.E dhe A.Rr, dhe ky dëshmitar kishte dhënë disa dëshmi kontradiktore në lidhje me Bedri Krasniqin”, thuhet në vendim.
Në lidhje me të akuzuarin Bedri Krasniqi, Apeli thekson se këto deklarime nuk përputhen më asnjë provë tjetër, qoftë materiale ose personale. As provat e administruara nga Themelorja në shqyrtim gjyqësor, thuhet se nuk e ndërlidhin qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi Krasniqi si kryerës të veprës penale.
“Pothuajse të gjitha provat e propozuara nga prokurori dhe të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nga gjykata shkallës së parë, janë prova të cilat janë administruar në procesin gjyqësor të vitit 2006, i cili proces është përmbyllur me aktgjykim në nëntor të vitit 2007, kur tani dëshmitari Sh.M ishte shpallur fajtor dhe këto prova as në atë kohë në procesin e parë e as në procesin gjyqësor të tanishëm nuk e kanë implikuar të akuzuarin Bedri Krasniqi, qofshin ato masa të fshehta të përgjimit të telekomunikimeve qofshin ato edhe dëshmitë e dëshmitareve”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Apeli pajtohet me konstatimin e gjykatës së shkallës së parë se përgjimet që ishin pjesë e provave të propozuara dhe të administruara në shqyrtimin gjyqësor, nuk e inkriminojnë të akuzuarin Krasniqi, përkundrazi ato vërtetojnë pafajësinë e tij lidhur me këtë rast, si dhe forcojnë alibinë e tij se i njëjti ditën e krimit kishte qenë në protestë në Deçan, pasi në bazë të përgjimeve mund të vërtetohet se ka qenë i interesuar për pjesëmarrje sepse e kishte pyetur A.M., (i dyshuar atëkohë) se a do të ketë protestë.
Apeli pajtohet edhe me vlerësimin e Themelores se dëshmia e dëshmitarit G.K (polic) nuk ka vlerë provuese në drejtim të kryerjes së veprës penale nga të akuzuarit, pasi që ajo më shumë bazohet në intuitën hetuese të të njëjtit, i cili ka theksuar se ka qenë duke e hetuar të pandehurin Bedri për një rast tjetër dhe se gjatë përgjimeve e ka njohur zërin e Bedri Krasniqit.
Gjithashtu, thuhet se provat e administruara në procesin gjyqësor si masat e fshehta teknike të përgjimit dhe hetimit, nuk e implikojnë të akuzuarin Alban Dezdari si kryerës të krimit, ngase nuk është subjekt i këtyre përgjimeve, pra nuk përmendet fare.
“Asnjë nga dëshmitarët që ishin prezent në skenën e krimit si B.M, R.M, M.M, Sh.R, Xh.F, nuk kanë mundur të identifikojnë Bedri Krasniqin e as Alban Dezdarin si kryes të krimit, dhe as policët të cilët ishin në ndjekje të kryesve të veprës penale”, arsyeton Apeli.
