Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka nisur dëshminë e tij sot para Komisionit Hetimor të Kuvendit të Kosovës për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Kreu i këtij Komisioni, Burim Ramadani, ka pyetur Muhaxherin lidhur me funksionimin e Drejtorisë për Punë Sociale dhe për QPS-në.
Muhaxheri ka folur për mungesë të veprimeve të institucioneve qendrore për emërime në Qendrën për Punë Sociale, duke treguar se janë detyruar si Komunë që të ndërmarrin veprime për emërime aty.
Marrjen në pyetje të Muhaxherit e ka vazhduar pastaj deputeti i LVV’së, Armend Baloku, duke e pyetur Muhaxherin për aspekte teknike të funksionimit të QPS-së dhe për atë nëse ka ndikuar në ndonjë formë për zgjedhjen e drejtoreshës së QPS-së.

