Drenusha Latifi i ka reaguar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi, duke e kritikuar për mungesën e reagimit lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi, Latifi ka bërë krahasim mes përvojës së Llalloshit, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, dhe rastit të Arlinda Zekajt, e cila, pavarësisht kërkesave për mbrojtje, u vra më 25 tetor
“Edona Llalloshi, për vete mbrojtje, për Arlindën heshtje!”, ka shkruar Latifi.
Ajo i është drejtuar deputetes edhe për pozitën që mban në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj në adresimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
“Kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua disa herë. Arlinda kërkoi mbrojtje, por përfundoi e vrarë”, ka shkruar Latifi.
Më tej, ajo e ka pyetur Llalloshin se çfarë vlere ka pozita e saj në këtë komision nëse zëri i saj nuk dëgjohet kur gratë vriten.
