Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2025, duke dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por duke identifikuar një sërë mangësish dhe dobësish në menaxhimin e projekteve, kontratave dhe evidencave financiare.
Sipas raportit, një nga gjetjet kryesore lidhet me projektin “Renovimi i Kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore”, me vlerë 814,229 euro, i cili nuk ishte përfunduar brenda afateve kontraktuale. Auditimi konstatoi se disa pozicione të punimeve ishin realizuar përtej sasive të parapara në kontratë, duke krijuar tejkalime financiare prej 31,748 eurosh vetëm në tri pozicione të veçanta të projektit.
Raporti evidenton gjithashtu dobësi në përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim për furnizime higjienike në vlerë prej 119,497 eurosh. Edhe pse procedura ishte arsyetuar me nevoja emergjente, furnizimi nuk ishte realizuar brenda afatit të kontraktuar prej tri ditësh, por me vonesa deri në 15 ditë, ndërsa nuk ishin aplikuar masat ndëshkuese të parapara me kontratë.
Auditorët kanë gjetur edhe pasaktësi në paraqitjen e detyrimeve kontingjente. Dy lëndë të mbyllura me vlerë totale 29,421 euro vazhdonin të figuronin në evidenca, ndërsa në raste të tjera detyrimet ishin regjistruar gabimisht, duke rezultuar me mbivlerësim prej 373,766 eurosh dhe nënvlerësim prej 56,000 eurosh. Sipas raportit, këto pasaktësi ndikojnë në besueshmërinë dhe saktësinë e informacionit financiar të paraqitur nga ministria.
